Bashkia Shkodër edhe njëherë tjetër “hap kuletën” për mbështetjen e KF Vllaznia. Ka ndodhur kështu edhe ditët e fundit kur ajo ka miratuar përmes Këshillit Bashkiak buxhetin e saj për vitin 2017, në të cilin ka qenë i përfshirë edhe futbolli. Për këtë të fundit, ajo ka akorduar 450 milionë lekë të vjetra për këtë vit. Nga këshilltarët, i vetmi që ka folur këtë herë ka qenë ish- futbollisti Vioresin Sinani, i cili ka ngritur përsëri problemin e vazhdimësisë së klubit. “Dakord që po i miratoni këto lekë por ato do harxhohen dhe çfarë zgjidhëm në këtë mes. Duhet një orë më parë që të mendojmë për heqjen dorë të Bashkisë nga administrimi i klubit dhe kalimi i tij tek privati sepse kjo është zgjidhja e vetme e mundshme”- ka thënë ai. Natyrisht që edhe krerët më të lartë të Bashkisë kanë premtuar se do të nisin procedurat për këtë gjë gjatë këtij viti dhe tashmë mbetet të shohim nëse do realizohen apo jo. Nga ana tjetër, vendimi i Këshillit Bashkiak për buxhetin tashmë duhet firmosur edhe nga Prefekti Radovani në mënyrë që të zyrtarizohet dhe pasi të ndodhë kjo, atëherë shuma prej 450 milionë lekësh, do të kalojë në arkën e Vllaznisë. Një gjë e tillë pritet të ndodhë brenda një jave. Çka do të thotë se rrogat e futbollistëve por edhe shpenzimet e tjera për skuadrën, janë siguruar nga Bashkia dhe tashmë ata duhet të jenë më të qetë dhe ta mbajnë mendjen tek ndeshjet e kampionatit dhe të kupës.

© shkodrasport.com