Portieri shkodran, Alen Sherri është kthyer sërish në vëmendje të klubeve në këto ditë të fundit të merkatos së dimrit. Burime të sigurta pranë tij bëjnë të ditur se në adresë të tij kanë mbërritur këto ditë dy oferta, pikërisht nga klubi i Partizanit dhe ai i Skënderbeut. Por, këto dy oferta nuk kanë ndikuar aspak për të ndryshuar mendjen e gardianit shkodran.

21-vjeçari ka marrë vendimin e tij për të qëndruar deri në fund të këtij sezoni te Vllaznia. Ai ka kontaktuar edhe me drejtuesit e klubit Vllaznia, duke i lajmëruar për ofertat që kanë mbërritur në drejtim të tij. Por, nga sa mësohet, të dy palët kanë rënë dakord që të mos pranojnë ofertat e mbërritura dhe të vijojnë së bashku punën. Drejtuesit e klubit po shikojnë mundësinë që të gjejnë klube jashtë Shqipërisë për portierin e tyre.

Kjo mund të jetë një mundësi e mirë që edhe klubi të përfitojë nga një lëvizje e tillë. Po shikohet që për lojtarin të gjendet një klub ku edhe t’i premtohet aktivizimi. Gjithsesi, edhe këtë pjesë të sezonit Sherri do të vijojë që të jetë pjesë e Vllaznisë.

Ai është një prej pikave të rëndësishme të skuadrës për këtë sezon, ku i ka luajtur të plota minutat në 14 ndeshjet e deritanishme. Dhe Vllaznia synon që ta mbajë deri në fund të këtij kampionati, në mënyrë që ekipi të sigurojë fillimisht ngjitjen në Superiore dhe më pas të mendohet për shitjen.

MERKATO

Vllaznia nuk ka qenë thuajse fare aktive në këtë merkato janari. Shkodranët kanë afruar vetëm Arsid Krujën. Edhe pse u përfol se do të vinin lojtarë të huaj në provë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Drejtuesit do t’i besojnë sërish grupit të lojtarëve që kishin në pjesën e parë të kampionatit. Kampionati do të rinisë të shtunën me sfidën ndaj Erzenit që do të luajë në fushën asnjanëse të Peqinit. Kuqeblutë janë të shkëputur shtatë pikë nga vendi i dytë që janë shijakasit dhe synojnë që të vazhdojnë me këtë ritëm.