Ekipi i Vllaznisë nuk ka financa të shëndosha dhe kjo është evidente tashmë. Skuadra kuqeblu ka shumë probleme në administrim që lidhen me Bashkinë e Shkodrës dhe menaxhimin që i bën klubit. Drejtori Engin Firat së bashku me administratorin Suad Lici janë munduar të lëvizin diçka me arritjen e binjakzimeve në Katar me një nga akademitë e këtij shteti dhe në Afrikë.

Nigeria ka qenë epiqendra e punës së kuqebluve me turkun që ka arritur marrëveshjen me akademinë “Derby”. Një nga shkollat e njohura të futbollit atje. Drejtori turk ka udhëtuar së bashku me adminitratorin Lici dhe kanë parë nga afër lojtarët e rinj. Ata kanë fituar të drejtën e shitjes së lojtarëve të kësaj akademie jashtë vendit, por duan të afrojnë dhe elementët e vlefshëm në Shkodër.

Burime të sigurta pranë klubit shkodran për Telesport bëjnë me dije se kuqeblutë kanë realizuar goditjen e parë në merkaton e janarit. Një lojtar i ri nga akademia e Derbyt do të mbërrijë në Shkodër për t’iu bashkuar Vllaznisë në stërvitje.

Bashkëpunimi ka nisur menjëherë dhe pas Collins Eziamaka, ky do të jetë lojtari i dytë që do t’i bashkohet skuadrës shkodrane nga Nigeria. Ekipi shkodran po lufton për t’u ngjitur në Superiore, ndërsa ditën e shtunë barazoi në “Loro Boriçi” me Besëlidhjen 1-1./telesport/