I kishte premtuar dhe tashmë I ka bërë realitet. Presidenti I Vllaznisë në futboll për femra Lazer Matija ka bërë 5 blerje njëkohësisht. Bëhet fjalë për katër futbolliste amerikanë dhe një malazeze të cilat tashmë I janë bashkuar ekipit dhe kanë nisur stërvitjen me të duke u bërë gati kësisoj për ndeshjet e Ligës së Kampioneve.

Trajnerët Leka e Parmeza sigurisht qs duken shumë të kënaqura me përforcimet e bëra sepse niveli I skuadrës tashmë është rritur edhe më shumë.Lojtaret e sapoardhura janë portieria amerikane Danielle Etzel, mbrojtësja e qendrës Cassidy Blanchard, mesfushorja Hannah Dauzat dhe sulmuesja Amanda Doyle, ndërkohë që përveç amerikaneve është edhe malazezja Milica Vuliç që luan si mesfushore qendre.

Me këto përforcime cilësore, ekipi shkodran do të synojë kalimin e grupit ndonëse kjo nuk do të jetë aspak e lehtë përballë ekipeve kampione të Lituanisë, Irlandës dhe Maltës. Vllaznia ka provuar edhe dy vitet e fundit të kalojë grupin dhe ndonëse mori nga dy fitore, nuk e fitoi këtë të drejtë.

Do të tentojë për herë të tretë dhe duhet thënë se shanset tashmë ekzistojnë sepse përforcimet e bëra janë më cilësoret që ekipi shkodran ka bërë gjithë këto vitet e fundit.

Presidenti Matija ka bërë të ditur po ashtu se lojtaret amerikane do të jenë pjesë e skuadrës edhe gjatë sezonit të ardhshëm të futbollit shqiptar dhe do ta ndihmojnë Vllazninë për të fituar titullin e shtatë kampion rradhazi.
www.shkodrasport.com