Vllaznia dhe Dinamo do “përplasin” brirët ditën e hënë në orën 19:45 në stadiumin “Loro Boriçi” në kuadër të javës së 5-të të Superligës. Një takim shumë i fortë në vite dhe që edhe kësaj rradhe nuk pritet të zhgënjejë. Por, këto dy ekipe kanë pasur shumë lojtarë të përbashkët sidomos pas viteve 90.
Më poshtë do paraqesim një formacion me lojtarët që kanë luajtur me të dy skuadrat dhe që kanë spikatur më tepër. Në portë, Ilion Lika. Portieri veteran që akoma aktivizohet tek Tirana e ka nisur karrierën pikërisht tek Dinamo, por ai ka luajtur edhe për Vllazninë, pavarësisht se për një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Në mbrojtje emra si: Antonio Marku, Renato Malota, Eni Imami apo edhe Alexander Isaevski. Të gjithë këta lojtarë kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për të dy skuadrat. Mesfusha përbëhet nga dy nigerianët Abraham dhe Orelesi si edhe Enkel Alikaj dhe Gentian Muça.
Të gjithë këta lojtarë në periudha të ndryshme kohore kanë qenë pjesë e formacioneve titullare si tek Dinamo ashtu edhe tel Vllaznia.
Sulmin e skuadrës “Vllaznia-Dinamo” e përbën dyshja Elis Bakaj dhe Sead Hadzibulic. Të dy lojtarët janë ende në kujtesat e tifozëve shkodranë apo edhe atyre dinamovitë.
Një takim i mbushur me histori jo vetëm gjatë viteve të diktaturës ku rivaliteti me ekipet e kryeqytetit ishte në kulm, por edhe pas viteve 90 ku ka pasur gjithmonë përballje të forta që janë luajtur edhe për titull.
Endri ÇINARI