Kalendari i javës së 24-të të Kategorisë Superiore ka dhuruar një sfidë shumë interesante e cila do të luhet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”, ajo në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. E programuar fillimisht për në orën 17.00, takimi është lënë përfundimisht të luhet në orën 14.00 të ditës së shtunë dhe pritet me interes në të dy kampet.

Shkodranët dhe korçarët i ndan vetëm një pikë në renditje me njëri- tjetrin dhe për më tepër, ato ndodhen në pozita aspak komode në renditje, konkretisht në vendet shtatë dhe tetë. Duke qenë në këto rrethana, Vllaznia dhe Skënderbeu do të kërkojnë fitoren në stadiumin e Shkodrës, por në fakt, “detyrë shtëpie” ajo është për kuqeblutë të cilëve nuk u bën punë as barazimi në fushën e tyre.

Nga ana tjetër, të dy ekipet do të kenë mungesa të rëndësishme në formacion si rrjedhojë e kartonave të marrë, por kjo pritet të mos ndikojë në fushën e lojës. Tek ekipi shkodran nuk do të jenë të gatshëm për stafin teknik mbrojtësi shqiptaro- maqedonas Adili dhe mesfushori Bardulla që kanë plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë dhe janë të skualifikuar për këtë javë.

Në fakt, mungesa e Adilit krijon një problem sepse me të në prapavijë, skuadra kishte krijuar stabilitet në ndeshjet e fundit. Megjithatë një lajm i mirë është rikthimi i mbrojtësit tjetër Malota që mungoi në ndeshjen e kaluar ndaj Luftëtarit.

Pavarësisht këtyre detajeve, objektivi i Vllaznisë nuk ndryshon për këtë 90 minutësh dhe fitorja do të kërkohet me ngulm ngaqë kampionati po vjen duke u vështirësuar dhe pozitat aktuale në renditje nuk janë aspak të mira për të.