Me 16 pikët e shënuar dhe lojën e mirë poshtë tabelës, basketbollisti amerikan Collin Voos ka qenë ndër më të mirët për Vllazninë në ndeshjen e Ligës Ballkanike ndaj Pejës, ndeshje që siç dihet, u fitua nga ekipi shkodran me rezultatin 78 me 62.

Në një prononcim për mediat, vetë Voos e vlerëson si shumë të rëndësishme fitoren ndaj ekipit kosovar ndërkohë që ka deklaruar se tashmë Vllaznia do të ketë objektivat e veta përveçse në kampionatin shqiptar edhe në Ligën Ballkanike.

“Kemi marrë një fitore të rëndësishme ndaj Pejës dhe ne kuptohet që shpresojmë të fitojmë çdo ndeshje. Me suksesin e fundit, besoj se jemi në një pozicion të mirë në renditje dhe shumë pranë fazës finale. Nëse ia dalim që ta sigurojmë këtë gjë, pastaj do të shohim edhe shanset tona për të fituar sërish dhe pse jo, për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Ndërkohë sa i takon kampionatit shqiptar, jemi në garë për fitimin e titullit kampion.

Por fillimisht duhet të përqendrohemi tek ndeshja e rradhës me Partizanin. Nuk duhet ta marrim të lehtë këtë takim, kundërshtari është mirë në disa pozicione, luajnë fort, por edhe ne jemi të vendosur për ta fituar këtë ndeshje”- ka thene ai.

Takimi ndaj Partizanit, është i dyti për fazën e tretë të kampionatit dhe do të luhet ditën e shtunë në orën 19.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Për ekipin shkodran fitorja është detyrë, për të mos iu shkëputur dy ekipeve të tjera pretendente për titullin kampion, Teutës dhe Goga Basket.