Bashkia e Shkodrës është aksionerja e vetme e klu bit të futbollit Vllaznia sh.a. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në emër të institucionit që ajo drejton, ka shprehur gjithë gatishmërinë e saj për të bërë të mundur licencimin e klubit të futbollit për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Sipas kryebashkiakes, po punon një grup ekspertësh, sidomos ata të ekonomisë, me kontabilistë të pavarur që të bëjnë të mundur saktësimin e bilanceve dhe të shumave të mbetura të borxheve dhe më pas të gjendet edhe gjuha e përbashkët me Drejtorinë e Tatimeve për të likuiduar borxhet që klubi i futbollit Vllaznia sh.a ka ndaj saj.

Për Ademin janë edhe disa pika të tjera që duhen përmbushur, në mënyrë që të bëhet i mundur licencimi i Vllaznisë për në Europë. Por, më kryesorja që shprehet prej saj është fakti që nga ana e bashkisë ekziston një frymë optimiste që deri në afatet e përcaktuara nga UEFA, shkodranët do t’i kenë plotësuar tërësisht kushtet e tyre.

“Ne si klub po bëjmë gjithçka gati që deri në afatin e caktuar nga FIFA e UEFA klubi do të jetë i licencuar. Ne nuk po punojmë vetëm në një krah, por në të gjitha drejtimet që duhet të plotësojmë disa kushte të vëna për të bërë të mundur licencimin e klubit. Deri në datën e lejuar si afat ne si klub do të përmbushim çdo detyrim tonin. Ne do të bëjmë atë që kanë bërë të gjitha klubet më përpara.

Ato ndoshta kanë pasur të tjera kushte, ne kemi të tjera, por e rëndësishme është që ne kemi gjithë vullnetin për të plotësuar këto kushte dhe të kryejmë procedurën e licencimit brenda gjithë afateve. Nga ana jonë impenjimi është total në të gjitha drejtimet.

Ne po punojmë me ekspertët tanë për të bërë të mundur që bilancet të jenë gati dhe më pas të nxjerrim edhe një shumë ekzakte për sa i përket edhe borxhit që kemi. Ne kemi paguar pranë Tatimeve dhe e theksova ekspertët tanë kontabël do të përcaktojnë edhe shumën që do të kemi për të paguar pranë Tatimeve. A do të jetë 320 milionë apo 100, kjo do të mësohet më vonë.

Kjo nuk më duket me shumë rëndësi në këto momente. I rëndësishëm është fakti që ne do të plotësojmë deri në momentin e vënë çdo pikë që ka lidhje me licencimin. Shumëkush mund ta quajë pa shumë vlerë, por qoftë edhe ajo bombola e oksigjenit që kërkohet në stadium për të bërë të mundur licencimin, ka vlerën e vet. Ne do ta bëjmë licencimin e klubit në Europë. Kjo ka më shumë rëndësi për të gjithë në këto momente”, u shpreh ekskluzivisht për “Panorama Sport” kryebashkiakja e Shkodrës.