Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim në shifrat 0-0 në takimin e ditës së djeshme kundër Kukësit. Shkodranët pas fitores në shifrat 3-1 ndaj Erzenit, nuk arritën të mbanin ritimin e fitoreve. Duke konfirmuar se transfertat këtë edicion nuk janë aspak një pikë e fortë e kuqebluve.

Këtë e konfirmojnë edhe statistikat sepse shkodranët nuk marrin pikët e plota në transfertë që nga janari. Më saktë nga data 13.01.2023, ku ekipi kuqeblu arriti të triumfonte në tranafertë kundër Partizanit. Madje duke përmbysur shifrat kundër të kuqve, për rezultatin përfundimtar 1-2. Që nga ajo periudhë Vllaznia nuk ka fituar asnjë ndeshje jashtë.

Pra 3 muaj ku kanë qenë përballjet me Bylisin e humbur 1-0, po ashtu me Erzenin ku Vllaznia është mposhtur 3-2 ndaj shijakasve. Barazimet 0-0 ndaj Egnatias jashtë e po ashtu 1-1 kundër Teutës në Durrës. Për të vijuar me humbjen në Laç në shifrat 2-0 dhe së fundmi barazimi 0-0 në Kukës ndaj vendasve. Një statistikë që tregon se Vllaznia ka qenë e brishtë jashtë Shkodrës.

Po ashtu shkodranët në gjithë këtë edicion kanë marrë 3 fitore larg qytetit dhe stadiumit të tyre. Kundër Tiranës në shifrat 1-2 në fazën e parë, ndaj Kukësit në fazën e dytë në shifrat 0-1 e po ashtu kundër Partizanit 1-2.

Shifra që patjetër duhen përmirësuar në këtë fund kampionati, ku titulli tashmë duket i pamundur e patjetër që kualifikimi në kupat e Europës është objektivi kryesor i ekipit.
Endri ÇINARI