Merkato është kryetema në këto ditë vere, ku lëvizjet e futbollistëve janë të shumta. Një ndër emrat që është diskutuar së fundmi që mund të ndërrojë ambient është edhe Anderson Filipi.

Mesfushori shkodran që është pjesë e Tërbunit ka disa oferta dhe mund të lëvizë nga pukjanët. I kontaktuar nga “Shkodra Sport”, ai i pohon këto oferta, por gjithashtu lë edhe një derë të hapur për rinovimin me Tërbunin.

Filipi tha: “Jam në një periudhë ku kam pasur realisht disa oferta nga ekipe të ndryshme në Kategorinë e Parë. Mund të veçoj këtu ekipe si Burreli, Besa dhe Lushnja, të cilët realisht i vlerësoj sepse tregojnë që kanë besim tek mua. Ka pasur edhe një interesim nga një skuadër në Superiore, por pa ndonjë ofertë konkrete në drejtimin tim.

Megjithatë unë ende nuk kam vendosur asgjë për sa i përket së ardhmes sime. Mund të ketë edhe një rinovim me ekipin e Tërbunit. Kjo duke parë projektin serioz që kanë drejtuesit për sezonin e ri, ku duan shpejt ta ngjisin ekipin në nivelin e duhur dhe me ambiciet e duhura. Kështu që besoj se këto do jenë ditë vendimtare për sa i përket së ardhmes sime”.
Endri ÇINARI