Vllaznia ka nisur sot përgatitjet për përballjen e rradhës ndaj Kastriotit. Një ndeshje që natyrisht pritet që skuadra të dalë me fitore, me trajnerin që mësohet se do t’u besojë pikërisht lojtarëve më të mirë që do të ketë në dispozicion.

Ndaj Kastriotit, trajneri Brdariç do të ketë të paktën 4 mungesa. Bëhet fjalë për mbrojtësit Adili dhe Diagne, si edhe dyshen sulmuese Da Silva dhe Ardit Hoxhaj. Megjithatë, kjo nuk do ta pengojë Vllazninë të kërkojë rezultat pozitiv ndaj Kastriotit.

Trajneri Brdariç do të aktivizojë këtë ndeshje formacionin më të mirë që do të ketë të gatshëm, me kuqeblutë që do të kërkojnë të tregojnë vlerat e tyre më të mira në këtë sfidë me Kastriotin.

Pavarësisht se ka sërish disa seanca stërvitore deri të dielën, ajo që mësohet është se trajneri Brdariç po skicon formacionin që do të hedhë në fushë në përballjen ndaj Kastriotit. Sipas parashikimeve, në formacion do të ketë disa ndryshime nga përballja e fundit në kampionat ndaj Egnatias.

Kështu, në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga Fangaj nga e djathta, Gurishta dhe Bulatoviç në qendër dhe nga e majta shkodrani Hakaj. Në mesin e fushës pritet që të jetë treshja Jonuzi, Krymi, Mustedanagiç. Në krah të Aralica që pritet që ta nisë këtë ndeshje si titullar, pritet që të jenë Kruja dhe Latifi.

Megjithatë, deri të dielën Brdariç mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër, të çasteve të fundit, pasi ka edhe lojtarë të tjerë që mund të jenë të mundshëm për 11-shen e parë.
Maringlen Zhivani