Skuadra e Vllaznisë në futbollin e femrave, dominuese absolute e kampionatit shqiptar të futbollit në vitet e fundit, kërkon një kualifikim historik mes 32 ekipeve më të mira në Ligën e Kampioneve. Ajo ka njohur edhe emrat e kundërshtarëve të saj në këtë turne, i cili në fazën e parë zhvillohet me sistem grupesh.

Vajzat shkodrane, të drejtuara nga Nikolin Leka, do të luajnë nga 7 deri më 13 gusht ndeshjet e tyre në grupin 10 të Ligës së Kampioneve që zhvillohet në Lituani. Pritës do të jetë ekipi i Gintra, ndërsa rivalet e tjera në grup janë Birkirkara e Maltës dhe Ueksford Juths e Irlandës.

Ky mendohet të jetë një grup i cili mund të përballohet nga ekipi shkodran por shumë gjëra do të varen pikërisht nga ndeshja e fundit kunder Gintra, e cila është skuadra më e fortë pasi renditet e 24-ta në klasifikimin e UEFA-s.

Për këtë arsye, ekipi shkodran është përforcuar kohët e fundit me disa futbolliste nga SHBA dhe Mali i Zi, pasi synon një kualifikim historik për të bërë hapin e radhës drejt elitës. /vipsport/