Vllaznia arriti një nga objektivat e saj këtë sezon, pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, në një ndeshje fantastike ndaj Laçit. Me ardhjen e Mirel Josës në stol, skuadra bëri tre ndeshje perfekte, duke siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës në ndeshjen e fundit të sezonit, në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit.
Në këtë finale, Vllaznia bëri mirë, teksa kishte edhe ngrohtësinë dhe mbështetjen e tifozërisë shkodrane, në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.
Gjithsesi, në mbyllje të këtij sezoni, trajneri Mirel Josa deklaroi se do të vazhdojë projektin, por që natyrisht duke arritur gjuhën e përbashkët me drejtuesit sa u përket kërkesave që ai ka për ekipin e sezonit të ri. Josa kërkon që të ruhet grupi dhe klubi të nxitojë për të bindur edhe futbollistët që janë pa kontratë.
Për momentin, emra si Adili, Hakaj apo Jonuzi shihen larg Vllaznisë, por megjithatë e rëndësishme është që boshti i skuadrës të rikonfirmohet dhe më pas të bëhen ndërhyrje në pozicionet ku është e nevojshme. Aktualisht, ekipi vijon pushimet, teksa me datë 10-qershor Vllaznia do të nisë përgatitjet.
Drejtuesit po shikojnë këtë periudhë, përveç tregut vendas, edhe në tregun kosovar dhe atë maqedonas, për të peshkuar ndonjë element që mund të vlejë për Kupat e Europës, por që fokusi kryesor mbetet tregu vendas.
Maringlen ZHIVANI