Më në fund edhe vetë futbollisti e ka pranuar se mund të lëvizë nga Tirana. Gilman Likës duket se po i mbaron durimi duke pritur drejtuesit e Tiranës t’i japin paratë që i takon. Për këtë arsye, ai po mendon seriozisht largimin nga kjo skuadër. E ka pohuar edhe vetë këtë gjë në media dhe tashmë duhet parë se çfarë do ndodhë deri në fund të këtij muaji. “Mendoj se gjërat duhen parë më ndryshe tani e tutje. Kemi disa muaj pa marrë rrogat dhe askush nga klubi nuk vjen të na thotë se çfarë do bëhet me ne. Kjo është disi absurde sepse ne po luajmë dhe po e bëjmë punën tonë.Nëse gjërat nuk rregulloj, do shoh dhe do lëviz. Vllaznia këmbëngul të më marrë dhe nuk është çudi të shkoj tek ajo ose edhe tek ndonjë skuadër tjetër jashtë vendit”-ka thënë ai. Tashmë rruga e rikthimit të tij në Shkodër është hapur. Edhe trajneri Vata dëshiron ta ketë në skuadër dhe kjo është mëse normale sepse një lojtar me vlerat e tij do t’i bënte shumë punë Vllaznisë në mesfushë e cila këtë sezon po tregon se ka shumë probleme në këtë repart. Megjithatë duhet pritur edhe pak ditë nëse vërtetë Lika do vishet apo jo kuqeblu.