Vllaznia është në kërkim të një mbrojtësi të majtë, në mënyrë që të jetë e përgatitur në rast largimi të Esin Hakaj, për ta zëvëndësuar për pjesën e ardhshme të ndeshjeve, duke nisur nga ato të Europës. Kështu, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se emri më i fundit që ka dalë në skenë, është ai i mbrojtësit të Kukësit, Edison Ndreca.

Mbrojtësi mirditor i kuksianëve, nga ana e Vllaznisë, po vlerësohet seriozisht si një alternativë, në rast largimi të Hakajt. Megjithatë, deri tani mbetet një dëshirë, teksa thuhet se ka pasur edhe bisedime mes drejtuesve të Vllaznisë dhe Ndrecës, por akoma jo diçka përfundimtare.

Në fakt, Ndreca është parë edhe ditën e djeshme në Shkodër, por nuk dihet arsyeja e saktë e ardhjes së tij në qytetin verior. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, Ndreca ka akoma edhe një vit kontratë me Kukësin, megjithatë e ardhmja e tij mbetet për t’u parë në vijim.

Në shënjestrën e Vllaznisë janë edhe mbrojtës të tjerë, por ato po shqyrtojnë me kujdes disa emra të mundshëm. Drejtuesit kuqeblu duan që të përforcojnë me çdo kusht krahun e majtë të mbrojtjes gjatë merkatos verore dhe ndoshta mbrojtësi i Kukësit, Edison Ndreca mund të jetë një alternativë. Kjo gjë e tillë vjen gjithmonë në rast largimi të Esin Hakaj, i cili ka oferta të shumta në drejtim të tij.
Maringlen ZHIVANI