Vllaznia e futbollit të femrave duket se po e shijon më së miri aventurën e saj të parë në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Vajzat kuqeblu do të përballen të enjten në transfertë ndaj Realit të Madridit, në sfidën e vlefshme për grupet e UEFA Champions League dhe ato kanë mbërritur që mbrëmjen e djeshme në Spanjë.
Gjatë këtyre ditëve qëndrim atje, ekipi shkodran ka menduar të bëjë një vizitë në një ndër stadiumet më mitike të futbollit europian, siç është shtëpia e gjigantëve të Real Madridit, pikërisht “Santiago Bernabeu”. Futbollistet e Vllaznisë vizituan shkallët e impiantit madhështor dhe më pas, edhe muzen e stadiumit “Santiago Bernabeu”, në vazhdën e axhendës së tyre.
Vajzat kuqeblu panë me kureshtje fotot, informacionet, por edhe trofetë që ishin vendosur në këtë muze, bashkë edhe me rinovimin e stadiumit, në të cilin po punohet aktualisht.
Futbollistet e Vllaznisë ishin të shoqëruara edhe nga presidenti i ekipit kuqeblu të femrave, Lazër Matija, si edhe zyrtarë të tjerë të klubit shkodran, por jo vetëm.
Maringlen ZHIVANI