Edhe pse sezoni 2023-2024 nuk është mbyllur ende zyrtarisht për Vllazninë, klubi ka nisur punën për sezonin e ardhshëm. Pas rinovimit të kontratave me dy titullarët e mbrojtjes kuqeblu, Stojanoviç dhe Juriç, drejtuesit e klubit po shikojnë edhe mundësinë e afrimit të disa futbollistëve, për të përforcuar grupin para aventurave europiane. Kështu, në fokus të drejtuesve të Vllaznisë, janë disa lojtarë të ndryshëm në kampionatin shqiptar.

Në fakt, sipas burimeve të “Star Plus”, drejtuesit kanë hedhur sytë tek dy ish-futbollistë të Dinamos dhe një ish i Erzenit, të cilët kanë dalë lojtarë të lirë në treg nga ish-skuadrat e tyre. Nga sa mësohet, bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë, Albion Marku, qendërmbrojtësin Jocelin Behiratche dhe për fantazistin Amir Kahrimanoviç. Për momentin, me Markun dhe Behiratchen ka patur bisedime konkrete, por akoma nuk mund të thuhet se ata dhe drejtuesit kanë arritur një marrëveshje përfundimtare.

Ndërkohë, krejt ndryshe qëndron situata me Kahrimanoviç, teksa me këtë lojtar duket se Vllaznia është shumë pranë firmës, e cila pritet të hidhet në ditët në vazhdim. 25-vjeçari është lojtar i lirë dhe nuk ka asnjë pengesë për të firmosur me Vllazninë. Të tre lojtarët, si Marku, Behiratche dhe Kahrimanoviç, falë eksperiencës dhe cilësive që kanë, do të ishin afrime me shumë vlera për kuqeblutë, por mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim se sa mund të realizohen ardhja e dy të parëve, pasi me ish-fantazistin e Erzenit gjithçka duket e mbyllur tashmë.

Poashtu, Marku dhe Behiratche janë lojtarë të kërkuar edhe nga klube të tjera të Superiores dhe interesimi për ta, përveç Vllaznisë, nuk mungon edhe nga ekipet e tjera. Ndërkohë, nga ana tjetër, pritet që në ditët në vijim të ketë të tjera rinovime të futbollistëve aktualë të Vllaznisë.

Në fakt, janë të paktën tre lojtarë titullarë, të cilëve u përfundon kontrata me kuqeblutë në fund të sezonit. Fjala është për mbrojtësin Esin Hakaj dhe mesfushorët Lorik Boshnjaku e Esat Mala. Në ditët në vijim mbetet për t’u parë, nëse këta futbollistë do të qëndrojnë në Shkodër apo do të ketë një largim të tyre në skuadrat e tjera. Shanset më të mëdha për t’u larguar nga Vllaznia i ka Lorik Boshnjaku, për të cilin nuk mungon interesimi nga klube nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Maringlen Zhivani /Star Plus TV/