Ekipi I Vllaznisë seancën e fundit stërvitore  para nisjes për në Gjirokastër e ka zhvilluar paraditen e djeshme në një fushë minifutbolli të mbuluar, kjo gjë e kushtëzuar nga reshjet e shumta të shiut që kanë rënë. Ndërkohë në orën 14.00, kuqeblutë kanë lënë qytetin e tyre duke marrë rrugën e gjatë drejt Jugut të Shqipërisë për t’u sistemuar në një nga hotelet e qytetit ku sot do të luajë ndeshjen ndaj skuadrës vendase të Luftëtarit. Me ekipin nuk ka udhëtuar vetëm sulmuesi Rexha për shkak të pezullimit me kartona ndërsa futbollistët e tjerë do jenë të gjithë të gatshëm, përfshi këtu edhe Dragoin që pati një dëmtim të vogël në mesjavë. Trajneri Bushati nuk është ndalur dje shumë tek formacioni me të cilin do luajë sot ndaj Luftëtarit. Ai është pyetur vetëm për mungesën e sulmuesit kryesor, Rexhës, sesa do të ndikojë tek skuadra dhe përgjigja e marrë prej tij ka qenë kjo: “Rexha është një lojtar shumë interesant që ne na bën punë megjithatë nuk e kemi shumë mendjen tek mungesa e tij. Në vend të tij do jetë Gjini I cili besoj se do japë maksimumin për të nderuar veten, Vllazninë dhe Shkodrën. Të mos harrojmë se edhe në ndeshjen e parë në Korçë, Gjini ka luajtur nga minuta e parë në fushë. Unë jam mundur t’ua bëj të qartë të gjithë futbollistëve se janë të rëndësishëm të gjithë në planet e mia”. Në këtë mënyrë, duket se nuk ka shumë dilema. Formacioni dhe objektivi I Vllaznisë për ndeshjen e sotme janë të përcaktuara. Do luhet vetëm për ta fituar këtë ndeshje.
Gjergj KOLA