Skuadra e Adës vazhdon në krizën e rezultateve edhe në këtë fillim të fazës së dytë. Megjithë ndryshimet e bëra në merkaton e janarit, velipojakët ende nuk po marrin pikët që u nevojiten aq shumë. Ata edhe sot në përballjen me Besëlidhjen të luajtur në stadiumin e Lezhës, janë mundur me rezultatin 1-0. Një gol i Lleshit në minutën e 20-të nuk është barazuar dot. Por jo vetëm kaq. Paraqitja e skuadrës në këtë takim ka qenë shumë e dobët. Futbollistët e saj nuk e kanë goditur asnjëherë portën e Xhikës. Ndonëse në këtë ndeshje, i kanë munguar tre futbollistë dhe pikërisht Karakaçi, Puka e Ferlushkaj për arsye kartonash, një paraqitje e tillë, është e pajustifikueshme. Drejtuesit e klubit u kishin premtuar edhe një premio të majme për fitoren para ndeshjes megjithatë as kjo nuk e bëri efektin e vet. Për t’u veçuar është edhe fakti se terreni në stadiumin e Lezhës ka qenë shumë i rënduar dhe për rrjedhojë nuk i ka lejuar futbollistët e Adës të dalin në lojën e tyre. Nga ana tjetër edhe gjykimi i kryesorit Beqiri në momente të caktuara ka favorizuar Besëlidhjen si në lejimin e lojës së rëndë ashtu edhe në mosndëshkimin e futbollistëve lezhjanë. Përfundimisht 1-0 për Besëlidhjen që ngjitet në kuotën e 18 pikëve ndërsa Ada mbetet me 16 pikë duke qenë në vendet e fundit të tabelës së renditjes. Trajneri Kulli në ndeshjen e sotme ka aktivizuar këta futbollistë: Selimaj, Hoti, Tota (Zefi 46′), Isufi, Doçi, Drabeja (Dushkaj 46′), Jacaj, Lini, Tafa, Erkoçeviç, Mujeci (Nika 65′).
www.shkodrasport.com