Ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë ka arritur një fitore shumë të thellë pasditen e sotme në ndeshjen e rradhës të kampionatit kombëtar. Në ballafaqimin me ekipin e Elbasanit, luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” vajzat shkodrane kanë arritur të shënojnë plot 105 pikë ndërkohë që kanë pësuar vetëm 52 duke e fituar ndeshjen kësisoj me një diferencë të madhe pikësh prej 53 të tilla. Ndeshja është dominuar nga fillimi dhe deri në fund prej tyre. Në periodën e parë, ekipi i drejtuar nga trajneri Rajmond Rasha ka fituar thellësisht 30-12. Që në këtë 10 minutësh të parë u pa se do kishte një fitore të thellë të Vllaznisë e cila erdhi duke u thelluar nga perioda në periodë. Në të dytën ajo ka fituar 21-17, në të tretën 28-10 dhe në të katërtën 26-13. Përfundimisht me rezultatin 105-52 është mbyllur kjo ndeshje duke treguar më së miri epërsinë e madhe që ka patur Vllaznia në parketin e pallatit të sportit. Skuadra shkodrane me këtë fitore vazhdon të mbajë vendin e pestë në renditje por duket se do jetë e vështirë të zërë një vend në katërshen e ekipeve më të mira që do vazhdojnë garën për titullin kampion.
www.shkodrasport.com