Vendimi do merret ditën e martë në mbledhjen e rradhës të Këshillit Bashkiak Shkodër megjithatë projekti I hartuar nga ana e drejtuesve të klubit parashikon atë shumë parash për të kaluar nga llogaria e këtij institucioni në atë të shoqërisë aksionere Vllaznia. Bëhet fjalë për 450 milionë lekë të vjetra. Shumë kjo e mjaftueshme për të përballuar gjithë sezonin futbollistik 2012-13. Kryetari I Bashkisë Lorenc Luka prej kohësh ka ngarkuar kryetarin e bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere- Ritvan Troshanin, njëkohësisht edhe nënkryetar I këtij institucioni të qeverisjes lokale, që sëbashku me administratorin Kujtim Shaba  të hartojnë projekt- buxhetin për sezonin e ri.

Nga sa thuhet, ky projek- buxhet është kaluar disa herë nëpër duar ngaqë drejtuesit e Bashkisë kanë kërkuar herëpashere reduktimin e shumës që I duhet të nxjerrin nga arka e tyre. Njëkohësisht kanë kërkuar që drejtuesit e klubit të intensifikojnë punën për rritjen e të ardhurave në klub. Pas shumë e shumë kalkulimesh është arritur në përfundimin se shuma financiare që Bashkia Shkodër duhet të nxjerrë nga arka e saj për periudhën nga korriku I këtij viti dhe deri në fundin e majit të vitit të ardhshëm, duhet të jetë 450 milionë lekë të vjetra. Në pamje të parë duket një shumë e vogël ngaqë është krijuar ideja që Vllaznia do jetë pretendente në sezonin e ri dhe prandaj shpenzimet duhet të jenë të mëdha për të konkurruar denjësisht me ekipe si Skënderbeu, Flamurtari dhe Tirana. Por në fakt edhe për klubin shkodran shpenzimet nuk mund të përmblidhen me atë shifër që do kërkohet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Projekt- buxheti. Shoqëria aksionere Vllaznia ka kërkuar nga Bashkia Shkodër si pronarja e saj e vetme shumën e 450 milionë lekëve por në fakt ajo çfarë do harxhohet mund të jetë afër dyfishit të saj. Po ku do gjenden paratë e tjera për t’I mbuluar këto shpenzime? Klubi shkodran do përfitojë një shumë prej 60-70 mijë eurosh nga e drejta televizive e kampionatit. Me krijimin e një skuadre pretendente, me shumë siguri do ketë edhe më shumë tifozë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” e për pasojë edhe më shumë të ardhura nga shitja e biletave. Pa harruar edhe faktin tjetër që Vllaznia është ndër të vetmet klube që merr jo pak lekë edhe nga vendosja e reklamave në ambjentet e stadiumit teksa çdo sezon grumbullohet një shumë prej 40-50 mijë eurosh. Drejtuesit e klubit janë duke negociuar edhe për një sponsor të përgjithshëm emri I të cilit të vihej në gjoksin e fanellës zyrtare. Përveç këtyre burimeve, rrugës mund të dalin edhe të tjerë, të cilët mund të rrisin buxhetin e klubit duke shkuar në të njëjtën linjë me pretendimet e skuadrës. Në 450 milionëshin që do kërkohet për t’u miratuar janë Brenda edhe një fond për Akademinë dhe ai për ekipin e minifutbollit që do të krijohet. Çka do të thotë se klubi Vllaznia po ndjek një politikë të uljes së kontratave të sportistëve dhe gjërat deri tani kanë shkuar mirë në këtë drejtim.
Këshilli Bashkiak.  Mbledhja e rradhës do jetë ditën e martë, më 31 korrik. E planifikuar për t’u zhvilluar pak kohë më parë analiza e sezonit të kaluar, ajo në fakt do zhvillohet këtë herë, bashkë edhe me miratimin e projekt- buxhetit për klubin e futbollit për sezonin e ri. Do jenë shumë detaje financiare, dhënie llogarie ku janë harxhuar paratë e miratuara për sezonin e kaluar dhe po ashtu edhe dëgjim për atë se çfarë do bëhet për sezonin e ri. Kuptohet që nuk ka rrezik që të mos miratohet 450 milionëshi I kërkuar sepse të djathtët që drejtojnë Bashkinë  kanë shumicën edhe në Këshill, por e sigurtë është që do ketë sërish debat. Sa herë që në mbledhjet e Këshillit flitet për sportin, ka jo pak debate. Megjithatë tani duket se gjërat janë në rrugën e duhur ngaqë Vllaznia duket një skuadër shumë e mirë për sezonin e ri teksa të gjithë kanë filluar ta konsiderojnë pretendente.
Gjergj KOLA