Pas humbjeve, natyrshëm të gjithë mundohen të gjejnë se ku u gabua dhe se ku ekipi çaloi më së shumti. Vllaznia e Josës kishte padyshim shumë probleme në fushë, sidomos në ndeshjen e dytë ndaj Kraiovës. Ato kishin ndikimin e vet në eleminimin nga Conference League.
Për t’i bërë një vëzhgim situatës tek Vllaznia që nga fillimi dhe deri tani, duhet një analizë e thellë. Në fakt, më konkretisht, Vllaznia e dinte shumë mirë që Victor Da Silva do të ishte pa kontratë pas majit, por “nuk e vendosi ujin në zjarr” për të negociuar në kohë me futbollistin, që të paktën në Kupat e Europës të qëndronte për të ndihmuar ekipin.
Po ashtu, Ardit Krymi, një nga futbollistët kyç të skuadrës në sezonet e shkuara, u largua menjëherë pas mbylljes së kampionatit, pasi kishte firmosur një parakontratë në Bjellorusi. Të paktën, edhe me Krymin, ashtu si me Da Silvën, duhej të negociohej që të paktën në Kupat e Europës të qëndronte për të ndihmuar ekipin. Të dy këta futbollistë i munguan shumë Vllaznisë në lojën e saj, qoftë në shkatërrimin e aksioneve apo edhe në fantazinë e ekipit, sidomos në ndeshjen e sotme.
Ndërkohë, te kuqeblutë erdhën gjashtë afrime para ndeshjeve me Kraiovën, por vetëm një pjesë e tyre ishin të gatshëm të luanin një ndeshje të plotë. Asnjë nga futbollistët e ardhur nuk mund të përballonte 90-minuta, me përjashtime të vogla.
Gati për të luajtur ishin Marko Juriç dhe Lorik Boshnjaku, të cilët e justifikuan në një farë mënyre besimin. Ndërkohë, edhe Herald Marku në ndeshjen e parë ndaj Kraiovës, dhuroi assistin e golit të Vllaznisë, por sot ishte shumë larg formës së tij.
Në këtë verë, skuadra është përballuar me disa largime dhe ka ndryshuar disi. Në fakt, është e qartë se kur ka disa largime, dalin probleme, siç dolën në Europë.
Maringlen ZHIVANI