Katër pikë në katër ndeshjet e para të kampionatit, janë një tregues i oshilacioneve që Vllaznia ka patur në këto javë të para. Kalendari fillimisht u konsiderua i favorshëm pasi do të luhej ndaj kundërshtarëve direkt por nuk rezultoi kështu deri në fund. Planet janë prishur pikërisht nga humbja në Shkodër ndaj Teutës.

Por jo vetëm kaq. Krahasuar me një sezon më parë, pikërisht me atë sezon që për pak rezultoi shumë dramatik ngaqë qëndrimi në Superligë u vendos vetëm në ndeshjen e fundit, sivjet ecuria ka qenë më e dobët. Kuqeblutë janë -2 pikë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dhe në fakt ky nuk është një lajm i mirë. Sivjet kampionati ka për të rezultuar edhe më i vështirë dhe këtë e tregoi edhe fakti që Lushnja, skuadra që u mendua e rënë, po tregon tjetër fytyrë tashëm. Ja ndryshimet e Vllaznisë në mes dy kampionateve të fundit:
Superliga 2016-2017
Java 1: Vllaznia- Kukësi 0-0
Java 2: Partizani- Vllaznia 0-0
Java 3: Vllaznia- Flamurtari 2-0
Java 4: Korabi- Vllaznia 0-0
Bilanci: 4 ndeshje, 6 pikë, golaverazhi 2-0

Superliga 2017-2018
Java 1: Lushnja- Vllaznia 0-2
Java 2: Vllaznia- Teuta 0-1
Java 3: Luftëtari- Vllaznia 0-0
Java 4: Laçi- Vllaznia 2-0
Bilanci: 4 ndeshje, 4 pikë, golaverazhi 2-3
© shkodrasport.com