Edhe Vllaznia në volejboll për meshkuj do të fillojë pasditën e sotme sezonin e ri sportiv. Ashtu si ekipi i femrave, edhe ata do të jenë mysafirë në kryeqytet për t’u ndeshur me Partizanin.

Ekipi që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja, provën e parë e kishte javën e kaluar në Kupën e Federatës, ku edhe pse u eleminuan, paraqitja e tyre ishte për t’u përgëzuar. Megjithatë, largimet e disa volejbollistëve, kanë dhënë ndikimin e vet negativ në ekipin shkodran.

Tashmë, në këtë skuadër kanë mbetur shumë pak emra të njohur të volejbollit shkodran, siç janë Endri Jukni, Ardit Taflaj, Fatjon Çekini, Gilman Talani apo edhe volejbollisti besnik i Vllaznisë ndër vite, Nikolin Qafarena. Ndërkohë, në këtë sezon të ri, tek ky ekip pritet t’u jepet hapësira edhe disa volejbollistëve të rinj shkodranë, teksa një nga emrat me një të ardhme të ndritur përpara, duket se është Mario Lugaj apo edhe volejbollistë të tjerë në gjirin e kësj skuadre.

Volejbollistët e Vllaznisë që do të jenë në fushën e lojës në këtë sezon të ri, do mundohen për të treguar vlerat e tyre më të mira, duke nisur nga ndeshja e sotme me Partizanin në kryeqytet, e cila do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në orën 18:00, menjëherë pas ndeshjes së Vllaznisë së femrave.
Maringlen ZHIVANI