Pritshmëritë për Vllazninë e këtij sezoni kanë qenë dhe janë të mëdha, edhe pse deri më tani nuk është aty ku duhet. Në fakt, jo më kot, klubi kreu investime në merkato, duke afruar disa futbollistë, të cilët do të përforconin skuadrën dhe të luftonin për trofe.

Megjithatë, deri tani shumë pak kanë treguar veten, me ekipin që ka çaluar pothuajse në të gjitha repartet. Gjithsesi, peshën kryesore duhet ta mbanin në skuadër futbollistët që ishin më herët pjesë e saj, të paktën në këto javë të para, deri kur edhe të afruarit të integroheshin si duhet qoftë me ekipin apo një pjesë e tyre edhe me kampionatin shqiptar.

Megjithatë, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe janë pikërisht futbollistët më të vjetër në klub që nuk kanë dhënë rezultatet që priteshin deri më tani. Një shqetësim ky që është ngritur edhe nga opinioni sportiv në analizat që kanë bërë gjatë kësaj periudhe, duke kërkuar më shumë nga këta futbollistë që pritej të merrnin skuadrën për dore.

Realisht, edhe performanca e tyre në fushë ka lënë për të dëshiruar, duke sjellur më pas edhe mungesën e rezultateve dhe të lojës në këto gjashtë javë. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reflektim në javët e ardhshme dhe futbollistët më të vjetër, duke nisur nga kapiteni Gurishta, të marrin situatën në dorë apo do të vazhdojnë të zhgënjejnë sërish.
Maringlen ZHIVANI