Mevlan Adili do të jetë edhe për dy sezone të tjera pjesë e ekipit të Vllaznisë. Mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka bërë një paraqitje shumë mbresëlënëse në këta 6 muaj me ngjyrat e Vllaznisë.

Kjo ka bërë që drejtuesit të nxitojnë dhe me të drejtë për të marrë edhe për dy sezone të tjera ndihmën e tij. Adili mund të konsiderohet një nga përforcimet me mjaft vlerë për kuqeblutë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi është shprehur tepër i kënaqur me kontratën e arritur. Ai ka vlerësuar atmosferën që e ka shoqëruar dhe po e shoqëron në Shkodër. 

Adili, çfarë ju bindi që të rinovonit edhe për dy vite me Vllazninë?

Të them të drejtën vetë emri i Vllaznisë, historia e klubit si dhe tifozët e zjarrtë më kanë bindur të mendoj që të qëndroj këtu. Që kur kam ardhur, pritja më është bërë në mënyrën më fantastike. Të gjithë futbollistët ishin një familje, me në krye kapitenin Gilman Lika.

Nuk më është dashur shumë kohë të përshtatem me ekipin dhe lojtarët. Jam ndier si në shtëpinë time. Gjithashtu, dua të falënderoj administratorin Suat Lici, i cili qëndroi shumë besnik ndaj asaj që më ka premtuar deri në pikën e fundit. Gjithashtu, falënderoj Alban Xhaferin që më vlerësoi për paraqitjet e mia dhe më ofroi kontratë me afatgjatë. Shpresoj që këto të mira t’ua kthej në fushën e lojës.

Si do t’i komentonit këta 6 muaj te Vllaznia?

Ishte një vit jo aq i mirë, pasi ambiciet ishin ndryshe dhe në fund nuk shkoi ashtu sikurse e prisnim. Tani ajo mbetet e kaluar dhe tani na presin sfida të reja.

A patët frikë për një rënie të mundshme nga kategoria?

Edhe pse nuk e njihja personalisht kundërshtarin, nuk kisha frikë aspak sepse besoja shumë te vetja dhe te shokët e skuadrës.

Çfarë objektivash do të ketë këtë vit skuadra?

Objektivat do të jenë të paraqitemi sa më mirë. T’u largohemi zonave të rrezikut dhe të ngjitemi sa më lart. Të jemi afër vendeve që sigurojnë Europën.

Mendoni se ky sezon do të tregojë një Vllazni më të fortë dhe më konkurruese?

Do të jemi më ndryshe. Të rikthehet Vllaznia e vendeve të para nuk është ndonjë ngjarje e veçantë, thjesht një detyrë profesionale.