Fitore me përmbysje e Vllaznisë në volejboll për femra, që dje mundi 3-2 kampionet e Minatorit në Rreshën, në një ndeshje mjaft interesante dhe me emocione. Megjithëse mirditoret kishin një avantazh të dyfishtë me sete nuk arritën të mbyllnin takimin në favorin e tyre, duke pësuar një përmbysje fantastike nga skuadra shkodrane, që korr suksesin e dytë radhazi dhe tashmë mendon për play off-in.

Ndërsa kampionet, pas kësaj humbjeje, rrezikojnë shumë të mos kenë mundësi as të shkojnë në play off dhe të mbrojnë titullin kampion. Minatori fitoi dy setet e para duke luajtur më mirë se kundërshtari, por duket se lodhja ndikoi në setin e tretë te skuadra vendase. Seti i katërt ishte tepër dramatik dhe thuajse vendos fatin e takimit. Minatori humbet në pikët shtesë 30-28, ndërsa Vllaznia merr krahë pas këtij triumfi dhe dominon me lojën e saj edhe në setin final, ku fiton 15-8 dhe merr 2 pikë të rëndësishme ndaj një rivali direkt.
Minatori-Vllaznia 2-3
(25-15, 25-20, 18-25, 28-30, 8-15)

www.shkodrasport.com