Studenti kampion në volejboll për meshkuj fitoi mbrëmë 3-0 ndaj Vllaznisë në “Fahrie Hoti”, në ndeshjen e fundit të javës së tretë të Top Volej Ligës, një ndeshje që nisi rreth 60 minuta me vonesë. Por kjo nuk e pengoi skuadrën kryeqytetase të mposhte me lehtësi rivalët nga Shkodra, që megjithëse u përpoqën nuk arritën të përballojnë ritmin e diktuar nga Studenti. Në të 3 setet ishin volejbollistët e trajnerit Ylli Tomorri ata që patën epërsi në lojën e tyre, duke u shkëputur vazhdimisht dhe e merituan plotësisht fitoren.

Seti i parë dhe i tretë janë formalitet, pasi Studenti shkëputet vazhdimisht dhe fiton thellë 25-15 dhe 25-16. Vetëm në setin e dytë loja dhuron emocione, pasi miqtë nga Shkodra përpiqen hera-herës të rivalizojnë, por pa forcën e duhur dhe dorëzohen shpejt. Studenti fiton 25-20 dhe arrin të marrë një fitore të rëndësishme, që e mban në krye të klasifikimit, ndërsa Vllaznia qëndron e katërta në grupin e Top Volej Ligës.
Studenti-Vllaznia 3-0
(25-15, 25-20, 25-16)
STUDENTI: Tukseferi, Janllari, Çali, Rama, Dragoi, Tepelena, Gorenxa, Memia, Kasa, Przhiç, Rrashketa, Zolota. Trajner: Y. Tomorri
VLLAZNIA: Rrahishta, Qafarena, Drinazi, Miloti, Taflaj, Jukni, Tafaj, Qerraxhia, Çekini. Trajner: A. Kalaja
Gjyqtarë: I.Fështi, F.Mujo

www.shkodrasport.com