Me rezultatin 4-3 në favor të Vllaznisë është mbyllur miqësorja e sotme kundër Adës. Në fakt nuk kanë qenë lojtarët më të mirë të Vllaznisë, por një pjesë e lojtarëve rezervë të saj si dhe një pjesë e lojtarëve të ekipit B. Ndërkohë velipojakët në pjesën e parë kanë luajtur me formacionin e tyre më të mirë ndërsa në të dytën kanë bërë shumë zëvendësime. Protagonisti kryesor i fitores për kuqeblutë ka qenë mesfushori kosovar Kreshnik Lushtaku që ka shënuar tre gola në këtë ndeshje. Trajneri Grima kanë hedhur në fushë nga minuta e parë këtë formacion: Sherri, Pjeshka, Beci, Haxhaj, Ruqi, Hasani, Kiri, Lushtaku, Mehmetaj, Hallunaj, Paviçeviç. Ndërsa trajneri i Adës Cani e ka nisur ndeshjen me këtë 11-she: Marku, Drabeja, Kola, Hotaj, Pelinku, Lim, Hoti, Jubani, Markolaj, Vecaj, Kabuni.

Loja nis me një gabim të portierit Marku dhe Vllaznia me anë të Hallunajt kalon në avantazh por më pas është Jubani që do të barazonte shifrat. Në fundin e pjesës së parë, Lushtaku do të shënonte një gol shumë të bukur duke e kaluar topin në formë parabole mbi portierin por në ’41 velipojakët fitojnë të drejtën e një 11-metërshi. Do ishte sërish kapiteni Jubani që do ta merrte përsipër ekzekutimin e tij dhe megjithë përpjekjet e portierit Sherri, topi shkon në rrjetë. Në barazim 2-2 do të mbyllej pjesa e parë e ndeshjes. Me fillimin e pjesës së dytë, Grima do të largonte nga fusha sulmuesin malazez Paviçeviç. Të parët që do të shënonin në pjesën e dytë ishin futbollistët e Adës me anë të Pelinkut por më pas Lushtaku dy herë do të barazonte fillimisht rezultatin dhe më pas do të vuloste shifrat përfundimtare 4-3 të këtij takimi. Një miqësore që ia vlejti qëllimit sepse stafet teknike panë nga afër gjendjen e futbollistëve që u aktivizuan dhe po ashtu, u munduan të rregullojnë disa gjëra që nuk shkojnë dhe mund të ndikojnë për të ardhmen.

www.shkodrasport.com