Skuadra shkodrane në basketboll për meshkuj e ka fituar edhe ndeshjen e rradhës, atë të luajtur pasditen e sotme me Teutën. Në fund të takimit të luajtur në “Qazim Dervishi”, tabela elektronike ka fiksuar rezultatin 91-72 për kuqeblutë të cilët sot janë paraqitur në fushë me kostumet e reja të sponsorizuara nga donatori i ri Petrit Maho që është dhe sponsori kryesor në këto momente bashkë me presidentin Sokol Dibra. Ndeshja ka nisur mirë për kuqeblutë teksa trajneri Gjeçaj ka hedhur në fushë pesëshen e përbërë nga gjithë lojtarët e huaj dhe pikërisht Jeftiç, Dragiçeviç, Gjokoviç, Kovaç dhe Devrnja. Perioda e parë është mbyllur në shifrat 22-16. Në të dytën vjen alternimi i lojtarëve të huaj me ata shkodranë dhe kjo periodë do mbyllej 17-18 në favor të miqve. Vërehet një lojë jo shumë e mirë e skuadrës shkodrane,  basketbollistët e së cilës gabojnë si në gjuajtjet për tre pikë ashtu edhe në lojën në mbrojtje. Në periodën e tretë gjërat ndryshojnë. Vllaznia fiton 32- 14 dhe krijohet një epërsi e madhe e cila ruhet edhe në periodën e fundit që jep rezultatin 20- 24 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshja do të mbyllej në shifrat 91-72. Vllaznia me fitoren e sotme mban vendin e dytë në renditje një javë përpara përfundimit të fazës së dytë të kampionatit teksa javën e ardhshme do ketë ndeshjen e fundit në kryeqytet me Shoqatën Tirana para se të nisin takimet e play-off-it.
Gjergj KOLA