Supriza e bukur e kampionateve të moshave në Ligën Amatore për Zonën e Shkodrës gjatë sezonit të fundit, padyshim që kanë qenë ekipet e “Atletik Klub Shkodra”.

Pesë ekipet e saj kanë qenë prezente në të pesë finalet e kampionatit.

Tre janë humbur, një është fituar ndërsa një tjetër është ndërprerë në mes.

Ekipet e kësaj Akademie të krijuar vetëm pak muaj më parë kanë spikatur me performancën e tyre, madje në veçanti ai U-13 ka qenë fantastik.

Jo vetëm u shpall kampion, por pak muaj më parë ka fituar edhe një turne ndërkombëtar të zhvilluar në Roveretto të Italisë ndërsa të dielën fitoi edhe “Shkodra Summer Cup”.

Po cilat janë objektivat për të ardhmen e kësaj Akademie?

Për “Shkodra Sport” ka folur një nga trajnerët e saj, njëkohësisht edhe presidenti i zgjedhur i shoqatës, Elton Bungaja.

Ja intervista e dhënë prej tij për gazetën tonë:

-Bungaja, a mund t’i quajmë surprizë rezultatet e Akademisë tuaj në këtë sezon të fundit ngaqë kishit vetëm pak muaj që keni krijuar?

-Sa për sqarim, vërtetë me emrin “Atletik” kemi pak muaj që ekzistojmë por të mos harrojmë se me disa ekipe, kemi luajtur me emra të shoqatave të tjera.

Gjithsesi, organizimi i bërë sëfundmi është më i miri dhe padyshim që kemi spikatur edhe me paraqitjet e bëra.

Të jem i sinqertë, ndoshta për të tjerët ka qenë surprizë kjo paraqitje, por jo për ne.

Ishim përgatitur për këtë gjë. Mbase vetëm ekipi U-15 ishte disi surprizë sepse arriti deri në finale ndonëse ka patur një grup shumë të vështirë.

Megjithatë u paraqitën shumë denjësisht. Ecuria e ekipit U-13 ka qenë e pritshme e po ashtu edhe ajo e U-11 dhe U-17.

Ekipi U-9 mund të quhet surprizë sepse në fakt fazën e parë nuk e nisi mirë por rikuperoi çdo gjë në të dytën dhe të tretën duke shkuar deri në finale.

Të shkosh me të pesë ekipet në finale ne e konsiderojmë një sukses sepse këtë gjë nuk e bëri as Akademia Vllaznia që dihet çfarë organizimi ka.

-Si ia keni arritur për këtë gjë?

-Kemi punuar shumë në stërvitje me të gjitha grupmoshat dhe vetëm falë punës kemi arritur këtu ku jemi sot.

-Çfarë është ky emër, Atletik?

-Kur u mblodhëm bashkë me Elisin (Legatën), Saimirin (Kaloshin) dhe Erjonin (Mandin), kemi çuar ndër mend shumë emra.

Nuk e di si doli, ndoshta rastësisht emri atletik dhe aty u ndalëm.

Arsyeja është e thjeshtë: Baza e çdo sporti është atletika.

Çdo sportist në botë quhet atlet dhe në këtë mënyrë, vendosëm ta quajmë “Atletik” këtë shoqatë që ngritëm.

-Ta krijosh nuk është shumë e vështirë, por ta mbash po. Si e keni menduar të ardhmen?

-Besoj se do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën dëshirë dhe pasion.

I gjithë ky organizim i joni është bërë në bazë të bashkëpunimit të sinqertë dhe të ngushtë që kemi me njëri- tjetrin.

Shoqata ka një organizim shumë të mirë, kemi hartuar një rregullore të qartë me detyrat e gjithësecilit dhe po funksionojmë si duhet.

Nuk mendoj se ka arsye, pse të mos vazhdojmë kështu, madje të rrisim edhe më tej performancën tonë.

-Projekti juaj më i ri si “Atletik” cili është?

-Projekti më i afërt është krijimi i ekipit U-19 për të plotësuar ciklin e të gjithë ekipeve zinxhir dhe marrjen pjesë të tij në kategorinë e parë që në sezonin që vjen.

-Po për funksionimin e shoqatës?

-Po punojmë fort për afrimin e biznesmenëve, sponsorëve të ndryshëm.

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Krijimi i kushteve sa më të mira për stërvitje këtyre fëmijëve dhe reduktimi i pagesave financiare që ato bëjnë në mënyrë që pjesmarrja e tyre në stërvitje të jetë sa më pak e kushtueshme.

-A ka patur deri tani interes nga biznesi?

-Prej dy vitesh tek ekipet tona po kontribuojnë dy vëllezër, pikërisht Erlin dhe Elidon Maraçaj që kanë kompaninë e tyre “Euro-sistem”.

Ata na kanë ndihmuar në rolin e donatorit por besoj se shumë shpejt, do të ketë një mënyrë zyrtare bashkëpunimi me ta.

Shpresojmë që pranë “Atletik Klub Shkodra” të ketë edhe donatorë të tjerë sepse kjo do të na ndihmonte shumë në realizimin e projekteve që kemi.

-Po në aspektin sportiv, do vazhdojnë sukseset e ekipeve të “Atletik”?

-Padyshim që po. Objektivi jonë që të rritemi nga viti në vit dhe të rivalizojmë sa më shumë Akademinë Vllaznia.

Sepse duke rivalizuar atë, e ndihmojmë të rritet edhe nga ana sportive dhe kjo është në të mirë të futbollit shkodran.

-Së fundi, ju jeni trajner edhe i ekipit U-13 që u shpall kampion. Çfarë ka të veçantë ky ekip?

-Një grup lojtarësh shumë të talentuar dhe me shumë të ardhme.

Bashkë me fëmijët që janë pjesë e ekipit të Vllaznisë, ato formojnë një ansambël që nëse mbështetet si duhet, do jenë pas pak vitesh një e ardhme e sigurtë e futbollit shkodran.
Intervistoi: Gjergj KOLA