“Derbi” i Shkodrës në futboll për femra, ai në mes “Juban Danja” dhe Vllaznia, i luajtur pasditen e sotme në “Reshit Rusi”, është fituar nga kjo e fundit me rezultatin e thellë 6-0.

Një fitore që mbase mund të kishte qenë edhe më e thellë sepse në pjesën e dytë, gjendja fizike e futbollisteve të “Juban Danja” ra disi dhe për arsye, vajzat kuqeblu nuk e kishin shumë të vështirë të dominonin në fushë.

Në pjesën e parë, rezultati është zhbllokuar në minutën e 14-të nga mesfushorja Gjini, ndërkohë që gjashtë minuta më vonë ka qenë Franja që ka dyfishuar shifrat. Me rezultatin 2-0 në favor të Vllaznisë do të mbyllej pjesa e parë.

Në të dytën në skenë do të dilte Megi Doçi e cila ka shënuar tre gola ndërsa nuk ka munguar të hedhë firmën e tij si golashënuese edhe Mustafa. Përfundimisht 6-0 për Vllazninë e cila me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 45 pikëve, duke qenë sërish gjashtë pikë e shkëputur nga Kinostudio e vendit të dytë.

Ndeshja e sotme ka qenë e vlefshme për javën e 15-të dhe me këtë ecuri që ka ekipi shkodran, duket i sigurtë në rrugëtimin e tij drejt titullit të gjashtë kampion rradhazi. Ai ka koleksionuar 15 fitore rradhazi ndërkohë që golaverazhi i saj është +104.
© shkodrasport.com