Përforcimi i parë i Vllaznisë në merkaton e janarit, mund të jetë Arsid Kruja. 25 vjeçari i ka përfunduar kontrata me Teutën dhe ka vendosur që të shohë variantet e tjera për të vazhduar karrierën.

Mesfushori padyshim që do të tentojë një ekip ku të ketë më shumë hapësirë për t’u aktivizuar. Një mundësi duket se është edhe Vllaznia, madje vetë lojtari e ka pranuar se ka nisur kontaktet me drejtuesit kuqeblu.

“Është e vërtetë që kam patur një bisedë me drejtuesit e Vllaznisë por duhet arritur akordi dhe pse jo të jem pjesë e saj. Si shkodran që jam, shpresoj të jap kontributin tim sepse të kthehesh në shtëpi nuk është kurrë gabim, megjithatë të presim ditët në vazhdim për të mësuar se çfarë do të ndodhë”- ka thënë ai.

Kruja në prononcimin e tij për TV1 Channel ka shpjeguar edhe arsyen e largimit nga Teuta kur ka thënë: “Me Teutën përfundova kontratën njëvjeçare që kisha me të dhe preferoj që të gjej një ekip për të vazhduar karrierën time, një ekip me të cilin të kem më shumë minuta në dispozicion”
© shkodrasport.com