Vllaznia nuk duron dhe reagon fuqishëm ndaj padrejtësive, që e kanë shoqëruar këtë sezon. Presidenti Xhaferi ka dërguar në emër të klubit një notë proteste në FSHF për padrejtësitë që sipas klubit i janë bërë deri në këtë pjesë të sezonit.

Shtysa më e madhe për të ndërmarrë këtë veprim është goli i anuluar në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Partizanit. Në këtë notë proteste, Vllaznia evidenton nëntë raste flagrante, ku arbitrat kanë gabuar në dëm të kuqebluve dhe kërkon zyrtarisht që këta dy arbitra të mos drejtojnë asnjë ndeshje të Vllaznisë e të përjashtohen nga sistemi i arbitrimit shqiptar.

Klubi pretendon se gabimet e arbitrave kanë qenë evidente edhe në arbitrimin e ekipeve të moshave.

SHKRESA E KLUBIT DREJTUAR FSHF-së:

1. Kërkojmë përjashtimin nga gjithë aktivitetet e Kategorisë Superiore të dyshes Olsid Ferataj e Ando Koçi si gjyqtarë të pamoralshëm dhe jo të denjë për të gjykuar në kampionatin shqiptar.

2. Dyshja Olsid Ferataj dhe Andi Koçi duke qenë se kanë thyer dukshëm besimin e tyre të njëanshëm në dëm të klubit të futbollit Vllaznia, të mos gjykojnë asnjëherë ekipet e klubit Vllaznia.

3. Duke qenë se dyshja Olsid Ferataj dhe Andi Koçi kanë vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe të jashtëligjshme me veprimet e tyre në takimin Partizani-Vllaznia, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes, kërkojmë në komitetin përkatës në federatë fillimin e një hetimi disiplinor për të nxjerrë ndikimin që kanë pasur palë të treta te dyshja Ferataj-Koçi.

4. Klubi Vllaznia ka kërkuar të informohet sistematikisht me hapat që do të ndërmerren për trajtimin e kësaj kërkese, si dhe ecurinë e hetimit disiplinor.

Përbri kërkesave për dy arbitrat e ndeshjes ndaj Partizanit, Vllaznia ka evidentuar edhe rastet ku është dëmtuar në këtë sezon nga arbitrimi.

1. Më 30 tetor 2021, ora 16:45, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, Vllaznia– Tirana 0-2, kur rezultati ishte 0-0, lojtari i Tiranës, Behiratçe, ndërhyn dhe gati i thyen kaviljen lojtarit të Vllaznisë, Liridon Latifit. Sipas arbitrit Juxhin Xhaja, nuk ka penallti dhe as karton të kuq.

2. Më 17 dhjetor 2021, ora 19:45, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, Dinamo-Vllaznia 0-0. Faull “horror” i Sofranak me taka direkt në këmbën e Aralicës. Për arbitrin Eldorian Hamiti nuk ka karton të kuq.

3. Më 21 janar 2022, ora 19:45, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër mes Vllaznisë dhe Egnatias, në minutën e 93-të, sulmuesi i Vllaznisë, Mehdi Çoba, tërhiqet dukshëm nga fanella brenda në zonë duke u rrëzuar dhe Eldorian Hamiti, asistent në VAR, nuk ndërhyn për të sinjalizuar arbitrin kryesor në lidhje me këtë 11-metërsh të pastër duke i mohuar Vllaznisë mundësinë e avantazhit dhe marrjen e 3 pikëve.

4. Më 30 janar 2022, ora 13:45, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Kamzës, Kastrioti-Vllaznia, 0-1, në minutën e 93-të arbitri Ardian Beqiri jep një karton të kuq për Adilin, krejtësisht imagjinar me shkakun e vonesës së lojës. Vllaznia penalizohet duke e ditur se në javën e ardhshme i duhej të luante një ndeshje titulli në Laç pa lojtarin kryesor, mbrojtësin Adili.

5. Më 6 shkurt 2022, ora 13:45, në ndeshjen Laçi-Vllaznia e zhvilluar në stadiumin e Laçit, në minutën e 26-të, pas asistit të lojtarit të Vllaznisë, Viktor da Silva, lojtari Fahrudin Gjurgjeviç e dërgon topin në rrjetë, por pas sinjalizimit të VAR-it dhe rishikimit të këtij episodi në monitorin e vendosur në fushën e stadiumit, Eldorian Hamiti, në kundërshtim me rregulloren e IFAB-it, anulon padrejtësisht këtë gol.

6. Më 19 shkurt 2022, ora 16:45, në stadiumin “Air Albania”, Partizani Vllaznia 1- 1, sjellim në vëmendjen tuaj rastin e minutës se 20-të, kur rezultati ishte 1-0 në favorin e Vllaznisë. Ndërhyrja dukshëm e gabuar, në luftën pa top, e lojtarit të Partizanit, Eneo Bitri, ndaj lojtarit të Vllaznisë, Liridon Latifi, çuditërisht nuk ndëshkohet me kartonin e verdhë, që do të rezultonte i dyti, pra karton i kuq. Po ashtu edhe asistentët e VAR-it nuk ndërhyjnë në këtë rast duke e rënduar më tepër shkallën e përgjegjësisë të arbitrimit me kryesor Fatjon Latën.

7. Më 25 shkurt 2022, ora 16:45, në stadiumin “Skënderbeu”, në ndeshjen Skënderbeu-Vllaznia 2-2, kryesori Laver Alla, në arbitrim ku duhej të nxirrte me karton të kuq lojtarin e Skënderbeut, Vangjel Zguro, të paktën në tri raste gjatë ndeshjes, por e fal dhe kartonin e parë të verdhë ia jep vetëm në minutën e 73-të. Më tej akordon një penallti, ku gjatë aksionit shihet qartë faulli i Mensah në dëm të mbrojtësit të Vllaznisë, Fallou Dianje, por lushnjari Laver Alla ndonëse rishikon episodin në sistemin VAR, nuk reagon.

8. Më 19 mars 2022, ora 13:45 në stadiumin e Rrogozhinës, në ndeshjen Egnatia-Vllaznia 3-0, arbitri Klodian Shabini, kur rezultati ishte 0-0, akordon një gol totalisht pozicion jashtë loje, ku shihej qartë që mbrojtësi i Vllaznisë, Dianje, nuk e devijon topin me qëllim dhe nuk kishte asnjë mundësi kontrolli. 9. Rasti i fundit ishte ai i takimit mes Partizanit e Vllaznisë në Kupë. Anulimi i golit të Aralicës në të 93-ën minutë.