Tre sezone më parë ishte Teuta ajo që mundi Vllazninë në ndeshjet e saj deçisive dhe i humbi asaj titullin kampion ndonëse ishte shumë përpara Tiranës së vendit të dytë. Durrsakët “i dhanë të mbrapshtën” shkodranëve dhe këtë gjë, këta të fundit “e kanë varë vath në vesh”. Historia përsëritet tre sezone më pas. Vllaznia e mund Teutën brenda në Durrës dhe me këtë humbje, bregdetarët “e shohin me dylbi” titullin kampion. Goli i Smajlit në minutën e 88-të të ndeshjes së sotme, ka gëzuar një Shkodër të tërë. Jo vetëm ata tifozë që kanë qenë të pranishëm në “Niko Dovana”. Vllaznia ka luajtur mirë, është mbrojtur e kujdes, ka shfrytëzuar ndonjë mungesë që vendasit kanë patur në formacion dhe ia kanë dalë të mbajnë shifrat e paprekura.

Kanë ngacmuar në ndonjë moment me Jabllan dhe Hajdarin por në fakt dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit. Në 10 minutat e fundit të ndeshjes, Teuta mbeti me 10 futbollistë pas dëmtimit të Jakupit nga ndërhyrja e Smajlit dhe meqë ajo i kishte kryer të tre zëvendësimet, u detyrua të luante me një lojtar më pak. Kjo gjë u shfrytëzua mjaft mirë nga Vllaznia. Trajneri Vata e kuptoi se Teuta tashmë nuk mund ta ndëshkonte dhe nxiton të kërkojë fitoren. Hedh në sulme dhe sulmuesin Gjini por goli nuk vjen prej tij. Vjen pikërisht nga një mbrojtës- mesfushor si Dritan Smajli që pas topit të ardhur nga këndi prej Hajdarit, ka goditur saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Kaq ka mjaftuar që kuqeblutë të fitojnë ndeshjen dhe të marrin tre pikë shumë të rëndësishme. Shkodranët morën hakun e para tre vjetëve dhe njëkohësisht i dhanë fund dyshimeve për të ardhmen e saj duke tentuar tashmë të shohin lart në renditje.

www.shkodrasport.com