Ditën e sotme janë luajtur ndeshjet e radhës në Kategorinë Superiore të U21-vjeçarëve. Bie në sy suksesi i thellë i Vllaznisë me rezultatin 5-2 ndaj Tiranës. Shkodranët ishin në formën e tyre më të mirë teksa shënuan dy gola në pjesën e parë të Sekjes dhe Ivziut.

Ndërkohë në fraksionin e dytë, vendasit sërish e gjetën rrugën e rrjetës, këtë herë me Shemën. Në fakt, bardheblutë provuan të reagonin dhe shkurtuan diferencat me anë të Aliajt.

Gjithsesi, nuk mundën të bënin shumë dhe në minutat 81 e 85 u ndëshkuan dy hera nga Çoba. Pas këtij rezultati, Vllaznia është në vendin e tretë të klasifikimit me 45 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e gjashtë me 28 pikë. Ndërkohë, Teuta dhe Laçi janë ndarë në një barazim 1-1. Të dy golat e sfidës janë realizuar në pjesën e dytë, teksa durrsakët ishin të parët që kaluan në avantazh me anë të Jazxhi në minutën e 69. Megjithatë, tetë minutash, kurbinasit reaguan me anë të Sulovarit.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe në këtë formë, Laçi barazon me pikë (45) Laçin dhe Vllazninë, ndërsa Teuta është në vend të katërt me 30 pikë. Sakaq, Kukësi ka mposhtur pa shumë probleme Akademinë e Futbollit me rezultatin 0-3. Verilindorët e nisën shumë mirë takimin duke shënuar që në minutën e tretë me Hajderaj, ndërsa Rasha dhe Tabaku ishin autorët e golave të tjerë.

Aktualisht, Kukësi është në vend të pestë me 30 pikë, ndërsa Akademia e Futbollit mbetet e fundit me vetëm katër pikë. Ndërkaq, bie në sy edhe suksesi i Turbinës në transfertë ndaj Kastriotit me rezultatin 4-6. /VipSport.al/

Rezultatet:

Kastrioti-Turbina 4-6

Akademia e Futbollit-Kukësi 0-3

Teuta-Laçi 1-1

Vllaznia-Tirana 5-2

Football Republic-Apolonia 1-4