Vllaznia rikonfirmohet edhe njëherë tjetër si kampione absolute e vendit. Mesditën e sotme ajo është kurorëzuar për të 18-tën herë si kampione e Shqipërisë në 20 kampionatet e zhvilluara pas viteve ’90 në vendin tonë. Ajo ka arritur të nxjerrë edhe gjashtë boksierë kampionë në peshat respektive teksa Rexhildo Zeneli, Ronildo Piranej, Fatjon Arapi, Kristian Shytani, Kristian Demaj dhe Nelson Hysa i kanë sfiduar të gjithë kundërshtarët e tyre duke u shpallur kampionë. Dita finale ka dhuruar shumë emocione, kurorëzuar në fund edhe me ngritjen e kupës së kampionit. Kupën trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza. Trajneri Gjoni është shprehur shumë i entuziasmuar për më tepër që ky ishte titulli i 18-të kampion edhe për të teksa ka thënë: “E kemi merituar dhe besoj se askush nuk mund të thotë ndryshe. Humbja e Bilalit në ditën e parë, i motivoi edhe më tepër boksierët për ta fituar medoemos këtë titull kampion dhe që nga ajo ndeshje, nuk kemi humbur më asnjë tjetër. Kemi nxjerrë 6 boksierë kampionë dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm por unë e kam thënë edhe më përpara se nuk ishte çudi të nxirrnim 9 kampionë. Sa për titullin tim të 18-të personal, jam shumë i lumtur dhe mendoj se kam punuar për këtë ditë”.Por në ceremoninë e zhvilluar në fund të kampionatit, një vlerësim i veçantë edhe për boksierin e Vllaznisë Kristian Shytani që është shpallur boksieri më i mirë i kampionatit. Ai në të vërtetë nuk e ka pritur një vlerësim të tillë dhe këtë e ka shprehur edhe për gazetën tonë kur ka thënë: “Sinqerisht që nuk e prisja të vlerësohesha si boksieri më i mirë i kampionatit pasi objektivi im ishte të shpallesha kampion në peshën time por kjo kupë natyrisht që do më motivojë edhe më shumë për të ardhmen”.Vllaznia kësisoj është vlerësuar edhe njëherë si mbretëreshë e ringut shqiptar. Një dominim absolut i boksierëve të saj në të katër ditët e kampionatit. Ja kampionët sipas peshave:
49 kg    Taulant Zajmi    (Dardania)
52 kg    Rexhildo Zeneli    (Vllaznia)
56 kg    Ronildo Piranej    (Vllaznia)
60 kg    Fatjon Arapi    (Vllaznia)
64 kg    Kristian Shytani(Vllaznia)
69 kg    Denis Nurja    (Tirana)
75 kg    Alban Beqiri    (Tirana)
81 kg    Kristian Dema    (Vllaznia)
91 kg    Aleksander Rama    (Tirana)
+91 kg    Nelson Hysa    (Vllaznia)

www.shkodrasport.com