Me fitoren e sotme në Shijak ndaj Erzenit, Vllaznia edhe matematikisht e ka siguruar ngjitjen në Superligë në sezonin e ardhshëm. Kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur deri në fund, Besëlidhja që është ndjekësja e saj më e afërt është 12 pikë larg por edhe në qoftë ndodh të bashkohen në fund me pikë, sërish ekipi shkodran ngjitet në Superligë sepse në ndeshjet direkte është më mirë se lezhjanët.

Kjo do të thotë se nga ndeshja e ardhshme me Korabin dhe deri tek ajo e fundit me Erzenin, Vllaznia duhet të mendojë për sezonin e ri. Rrjedhimisht, trajneri Canaj padyshim që duhet të ulë në pankinë disa nga veteranët e skuadrës të cilët e dhanë kontributin e tyre për ngjitjen në Superligë.

Rrjedhimisht portieri Qarri besoj se nuk duhet të dalë më nga formacioni deri në fund. Po ashtu, besoj se nuk janë më të nevojshëm golat e brazilianit Junior por ai t’i hapë vendin Pusit apo ndonjë futbollisti tjetër të ri.

E njëjta gjë edhe për kapitenin Lika e ndonjë futbollist tjetër. Katër ndeshjet e ardhshme duhet të jenë një test prove për disa futbollistë të rinj të Vllaznisë për të treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Por, përpara se të ndodhë kjo me siguri që duhet saktësuar sa më parë edhe çështja e pankinës. Nëse trajneri Canaj do rikonfirmohet, kjo duhet zyrtarizuar sa më parë në mënyrë që ai të fillojë të mendojë me mendje të qetë për sezonin e ri. Në mënyrë që të ndërtohet Vllaznia e duhur e cila kurrsesi nuk duhet të rikthehet më në kategorinë e parë.
© shkodrasport.com