Një nga ndeshjet më interesante të javës së 10-të të Superligës patjetër që do jetë Vllaznia-Laçi. Një sfidë që garanton për spektakël dhe lojë të hapur duke u nisur nga rezultati i fazës së parë në shifrat 3-5 për kuqeblutë. Por Vllaznia me 17 gola të shënuar dhe Laçi me 12 të tillë janë respektivisht sulmi i dytë dhe i katërt më i mirë i kampionatit.
Por edhe mbrojtjet janë thuajse në një linjë ku Vllaznia ka pësuar 14 gola e ndërsa kurbinasit 12. Gjithsesi sfida duket se do jetë në këmbët e “bomberave” të huaj. Nga njëra anë Ante Aralica e nga ana tjetër Saliou Guindo. Kjo sfidë duket se nuk “flet” shqip.
Sulmuesi kroat i Vllaznisë është shënuesi më i mirë i kuqebluve me 4 rrjeta në emrin e tij këtë sezon. Tek Laçi ai që spikat me gola është malazezi Zarubia me 4 të tillë, por në javët e fundit ai e ka humbur vendin në formacion ku Guindo, sulmuesi nga Mali ka treguar një superformë duke shënuar 3 gola dhe duke qenë i dyti pas Zarubices tek Laçi.
Gjithashtu edhe tek Vllaznia shënuesi i dytë më i mirë është Da Silva me 3 gola. Pra ndeshja do jetë një duel të huajsh. Se kush do jetë ai që do ketë peshë me golat e tij, do na duhet të presim deri nesër në darkë. Patjetër ky fakt tregon edhe mungesën e sulmuesve shqiptarë në kampionatin tonë, gjë nga e cila vuhet prej vitesh.
Endri ÇINARI