Partizani ka bërë goditjen e madhe të kësaj merkato dimri. Klubi ka menduar që t’i bëjë një dhuratë trajnerit Mehmeti për Vitin e Ri, duke mos e mbyllur vetëm me zyrtarizimin e tij dhe besimin që i është dhënë si zëvendësuesi i Dajës. Këtë herë klubi ka njoftuar afrimin e Sherif Kallakut.

Mesfushori i Kombëtares njihet për cilësitë që zotëron, për njohjen e madhe me Superioren dhe pritet që të bëjë diferencën. Megjithatë duhet parë ecuria me Partizanin pasi edhe periudha e fundit te Teuta nuk ishte më e mira. Ndërkohë Partizani tregon se mesfushori është i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit dhe do të jetë deri në fundin e sezonit.

Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Sherif Kallakun. Mesfushori i spikatur, bashkohet me 16-të herë kampionët e Shqipërisë pas eksperiencave të suksesshme në kampionatin tonë me ekipet e Laçit dhe Teutës si dhe jasht vendit te NK Lokomotiva Zagreb.

Drejtuesit dhe mesfushori me tipare sulmuese, kanë arritur marrëveshjen me klubin kroat të NK Lokomotiva Zagreb për huazimin e 23 vjeçarit, i cili do të jetë pjesë e të kuqve deri në fund të këtij sezoni futbollistik.