Vllaznia vijon me intensitet përgatitjet për dy ndeshjet e rradhës, fillimisht ndaj Flamurtarit në transfertë për Kupën e Shqipërisë të hënën dhe më pas kundër Teutës në Durrës për javën e gjashtë të kampionatit më 30-shtator.
Grupi i futbollistëve është duke marrë ngarkesat e duhura në të gjitha drejtimet dhe gradualisht, situata po përmirësohet sa i përket futbollistëve që kanë pasur probleme fizike.
Ndërkohë, një vëmendje të madhe po merr ana taktike. Josa ka kërkuar saktësi në veprime, teksa në seancat e fundit është parë shpesh të ndërhyjë kur ka parë paqartësi, vetëm e vetëm që grupi të arrijë pritshmëritë.
Për ndeshjen ndaj Flamurtarit që do të luhet të hënën, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ka shumë mundësi që trajneri Josa të hedhë në fushë një skuadër komplet ndryshe në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit.
Lajm i mirë është rikthimi i qendërmbrojtësit Darko Bulatoviç me grupin. Ndërkohë, Josa shpreson që të ketë sa më shpejt të gatshëm edhe dy mesfushorët kosovar, Latifi dhe Boshnjaku, që kanë disa javë larg fushave.
Maringlen ZHIVANI