Ditën e sotme, Vllaznia i eshte rikthyer sërish fushës se stërvitjes nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa dhe stafit të tij. Kuqeblutë pësuan humbjen e dytë në kampionat, pikërisht në javën e katërt ndaj Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia”.

Disfata i dëshpëroi të gjithë, që nga presidenca, stafi dhe sidomos tifozët. Shkodranët humbën disi terren në tabelën e renditjes, në një kohë që gara sa vjen dhe vështirësohet, teksa pas javës së katërt, kampionati hyn në faza interesante.

Sot, ekipi do të zbresë në fushë, ku fillimisht do të zhvillohet analiza e disfatës në transfertë, ndërsa më pas do të nisin edhe përgatitjet anti-Kastrioti, një ndeshje që do ta zhvillojë të dielën në shtëpi. Tashmë, skuadra do të jetë e fokusuar vetëm te sfida me krutanët në fundjavë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Vllaznia duket se për takimin e dytë në shtëpi këtë sezon, do të jetë më e plotë. Kështu, bëhet fjalë për qendërmesfushorin Herald Marku, si edhe mbrojtësin Esin Hakaj, prej të cilëve pritet shumë. Të dy e ndoqën nga tribuna sfidën ndaj Egnatias, teksa Marku ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen me Tiranën, ndërsa Hakaj mungoi si rezultat i dëmtimit të marrë në këmbë.

Liridon Latifi vazhdon akoma të jetë i dëmtuar, ndërsa kosovari tjetër Lorik Boshnjaku ka shtuar më tepër dhimbjet e kokës për trajnerin Mirel Josa, pasi la fushën e lojës ndaj Egnatias në minutën e 39-të të pjesës së parë, si pasojë e një tërheqjeje muskulare. Shkalla e dëmtimit akoma nuk dihet, por mbetet për t’u zbuluar në ditët në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI