Sulmuesi kongolez, Dzon Delarzh, i hapi rrugën fitores së Egnatias kundër Vllaznisë, duke shënuar golin e dytë radhazi pas atij në transfertën ndaj Laçit.

“Ndeshja ndaj Vllaznisë u kthye në festë dhe jam shumë i lumtur që fituam sërish. Luajtëm bukur dhe e merituam fitoren. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Mendoj se do të ketë edhe momente të tjera më të mira. Organizuam sulme të shpejta dhe e zumë disa herë kundërshtarin në befasi.

Ky mendoj se ka qenë çelësi i suksesit për të arritur një fitore të pastër. Ua dedikoj tifozëve të Egnatias golin. Shpresoj se tanimë çdo gjë që patëm në dy humbjet e para, sidomos me mungesën e fatit, ka kaluar një herë e mirë.

Vëmendja është te ndeshja e radhës ndaj Bylisit, të cilën duam ta luajmë po kaq mirë sa bëmë me Laçin dhe Vllazninë”, deklaroi sulmuesi për “Panorama Sport”.