Vllaznia i është rikthyer dje seancave stërvitore duke lënë pas tri ditë pushimi pas barazimit 0-0 në Korçë ndaj Skënderbeut për javën e katërt të “Abissnet Superiore”. Ekipi shkodran nuk ka qenë i plotë në këtë seancë të parë, pasi ashtu si në javën e kaluar kanë munguar mbrojtësi Darko Bulatoviç, i cili ka më shumë se një muaj jashtë fushe, si dhe mesfushori Viktor da Silva. Të dy janë të dëmtuar, por mendohej se braziliani do t’i bashkohej grupit pas gati 10 ditësh pushim.

Fantazisti u largua nga fusha në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Partizanit, ku dhe arriti të shënonte. Ai polemizoi me trajnerin Brdariç, ndërsa më pas për “Panorama Sport” deklaroi se ka një dëmtim kronik, që e ka shqetësuar prej muajit prill.

Në klub janë të zhgënjyer për këtë situatë, pasi lojtari ka pasur precedentë të tillë edhe në sezonin e kaluar. Megjithatë, ajo që e shqetëson më shumë trajnerin në këto momente është fakti se i duhet të ribëjë sërish repartin e mbrojtjes, aty ku ka pasur më tepër probleme në këto katër javë kampionat.

Mevlan Adili është një mungesë e sigurt në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos, por më parë Vllaznia do të luajë takimin e kthimit për Kupën e Shqipërisë kundër Labërisë. Kuqebluve u duhet një fitore me dy gola diferencë për të kaluar në turin tjetër, pasi ndeshjen e parë humbën 2-1 ndaj ekipit që militon në Kategorinë e Dytë.

Në mungesë të Adilit, por edhe Bulatoviçit që mund të përshtatej në qendër të mbrojtjes, aktualisht për takimin me Dinamon, Brdariç ka të gatshëm për këtë pozicion vetëm Fallou Dianjenë nga titullarët. Mirëpo, alternativa janë edhe të rinjtë Shimaj e Paloka, teksa mbetet për t’u parë nëse gjermani do t’i japë një fanellë titullar njërit prej tyre.

Varianti tjetër është spostimi i kapitenit Gurishta për të formuar dyshen e qendrës me Dianjenë, por duket se kjo ka pak mundësi të ndodhë, për faktin se në tri javët e para nuk rezultoi efikase./panorama-sport.com/