Europa është e vetmja që vlen dhe Partizani në javën e parafundit vendosi duart të dyja këmbët te Europa e favorizuar nga përballjet direkte, dhe nga fakti që finalja e Kupës do të jetë mes Vllaznisë dhe Lacit.

Të kuqve suksesi ndaj Kastriotit u solli konfirmimin për Europën, pasi dhe nëse Vllaznia i parakalon me bilanc më pozitiv, minimalisht përfundojnë të katërtit dhe lënë pas Kukësin në garën për Europën.

Vllaznia nga kampionati është skuadra më pak e favorizuar dhe varet nga të tjerat për të kapur Europën, pasi duhet të shpresojë që Kukësi të mos fitojë për të mos pritur fitoren e trofeut të Kupës për të vajtur në kompeticionet europiane.

Në rast të një suksesi të Kukësit ndaj Tiranës, atëherë shpresa e Vllaznisë është për të humbur Partizani në Laç, dhe me pikë të barabarta të treja ekipet, me Vllazninë që merret e mirëqenë fitorja me Kastriotin, shkodranët do të siguronin Europën, për shkak se me të treja është Kukësi që ka bilancin më negativ.

Një fundkampionati për Europën, që është shndërruar në një thriller të vërtetë, por që mund të përcaktojë shumë për fatin e skuadrave që mund të luajnë në Europë sezonin e ardhshëm, ku për momentin i vetmi i sigurt për fatin e tij është Partizani, që në Laç pavarësisht rezultatit Europën e tij e ka siguruar, duke lënë në betejë në distancë Vllazninë dhe Kukësin.