Vllaznia do të kërkojë të martën në “Air Albania” fitimin e Kupës së dytë rradhazi, brenda dy vite. Për herë të parë, shkodranët përballen në finale me Laçin, duke diskutuar trofeun në një derbi verior. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa e mbylli kampionatin në vendin e pestë, një pozicion që përmes kampionatit, nuk të dërgon në Kupat e Europës.

Megjithatë tashmë, kuqeblutë duan t’i bëjnë një mbyllje pozitive sezonit, duke fituar Kupën e Shqipërisë, në një kohë që këtë trofe e kanë festuar edhe vitin e kaluar.

Në prag të ndeshjes me kurbinasit, situata te shkodranët është mjaft optimiste. Në sfidën e javës së fundit të kampionatit ndaj Kastriotit, trajneri Josa provoi thuajse gjithë futbollistët, që ai mendon se do të jenë pjesë e formacionit në finale.

Ajo që ngroh më shumë kreun e pankinës në këtë moment, është forma e mirë që po kalon treshja e sulmit, duke nisur nga golashënuesi Ante Aralica, si edhe sulmuesit e krahut, Liridon Latifi dhe Victor Da Silva. Kjo treshe pritet të jetë nga minuta e parë edhe ndaj Laçit, duke dhënë garanci për golat e shkodranëve.

Ndërkohë, që pritet që Vllaznia të grumbullohet ditën e nesërme, në mënyrë që skuadra të punojë e qetë në ditët e pragfinales.

Maringlen ZHIVANI