Ekipi i Vllaznisë ka arritur të nxjerrë tre boksierë në finalet e Kupës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për boksierin Ronildo Pirani që ka konkurruar në peshën 60 kg, Asmer Bilali në peshën 75 kg dhe Kristian Demaj në peshën 91 kg. Tre boksierët e tjerë pjesmarrës në këtë aktivitet, i kanë humbur ndeshjet e tyre dhe pikërisht bëhet fjalë për sportistët Gëzim Jaku në peshën 56 kg, Kristian Shytanin në peshën 64 kg dhe Bekim Vjerdhën në peshën 81 kg. Këto tre humbje të këtyre sportistëve, i kanë prishur jo pak planet e drejtuesve të ekipit sepse tashmë fitimi i Kupës nuk është më i sigurtë. Ekipet e tjera kanë bërë një paraqitje të mirë dhe sidomos Enea dhe Tirana janë pretendentë për fitimin e këtij trofeu. Megjithatë ka ende shpresa për shkodranët dhe do jenë finalet e ditës së sotme ata që do përcaktojnë gjithçka në këtë drejtim.