Me të rriturit është histori tjetër ndërsa me të rinjtë, krejt ndryshe. Vllaznia e ka mundur lehtësisht Studentin për të rinj ndërkohë që me të rriturit është eliminuar prej kësaj skuadre në gjysmëfinalet e play off-it. Skuadra e trajnerit Mirjan Rrahishta, ka fituar dje pastër në Tiranë 3-0 duke mbajtur sërish vendin e parë në renditje edhe pas javës së 12-të me 32 pikë të grumbulluara. Në vend të dytë është Farka Volej me një pikë më pak dhe me rradhë Tirana 24, Elbasani 22 etj. Këto katër skuadra mendohet të jenë edhe pjesmarrëse në play-off dhe objektivi i Vllaznisë sigurisht që është titulli kampion.

Këtë gjë ata e kanë bërë prej vitesh duke qenë të padiskutueshëm në këtë kategori. Sigurisht që problemi i madh vjen më pas tek të rriturit, aty ku duhen financat për të ndërtuar një ekip pretendent dhe për të rivalizuar për titullin kampion. Të rinjtë e talentuar që ka Shkodra dhe që i nxjerr vazhdimisht, duhet punuar dhe investuar për t’i mbajtur sa më gjatë. Ndryshe, ky ekip do të vazhdojë në këtë mënyrë, kampion me të rinjtë dhe më pas, vetëm vende nderi.

www.shkodrasport.com