Nëse në opinionin sportiv shkodran, tifozë të ndryshëm apo dhe specialistë futbolli e cilësojnë të dështuar merkaton e janarit për Vllazninë, nuk është i këtij mendimi trajneri i saj Rudi Vata. I ftuar në “Rubrikën Sportive” në TVSH mbrëmjen e së dielës, ai duke folur në lidhje me këtë çështje ka thënë: “Merkatoja që zhvilloi Vllaznia në janar nuk mund të quhet aspak e dështuar sepse këta lojtarë që erdhën po mbajnë peshën kryesore të skuadrës dhe nëse jemi në këto pozita dhe nuk rrezikojmë, kjo është meritë e tyre. Kjo sepse po të kishim luajtur me të rinj, ata nuk do kishin qenë në gjendje ta përballonin siç duhet ngarkesën e kampionatit. Me këto lojtarë që erdhën dhe skuadra pati jo pak ngarkesë në kupë dhe kampionat, llogarite pastaj të mos kishin ardhur edhe ato. Prandaj nuk mund të quhet dështim”. Megjithatë të gjithë kanë pretenduar një Vllazni në vende më të larta në renditje. Rudi Vata arsyen pse ndodhi kështu e justifikon me largimet e dy lojtarëve kryesorë të ekipit në merkaton e janarit dhe mosmarrjen e lojtarëve të kërkuar prej tij.

“Projekti im ishte që me Sukajn dhe Vajushin në skuadër si dhe me disa përforcime që unë kërkova, të kërkonim të shkonim sa më larg në kupë dhe pse jo të kishim edhe pretendimet tona në kampionat. Dy lojtarët shkodranë u larguan, ata të tjerët nuk erdhën dhe në kushte të tilla nuk mund të pretendonim të merrnim më tepër këtë sezon”- është shprehur ai. Logjika e tij është e thjeshtë. Pa lojtarët e duhur nuk mund të kesh pretendime të mëdha. Vllaznia megjithatë ka pasë objektivat e veta dhe drejtuesit e klubit në njëfarë mënyre e pranojnë se kanë dështuar këtë sezon. Në kushte të tilla, duket qartë se ka ende një problem në marëdhëniet mes trajnerit dhe atyre. Edhe vetë Vata i pyetur në lidhje me këtë çështje, është shprehur: “Marëdhëniet në mes meje dhe drejtuesve të klubit janë marëdhënie pune. Unë bëj punën time me skuadrën ndërsa ata punojnë në të mirë të klubit”. Kaq mjafton për të kuptuar se mes palëve ka një ftohtësi. Fundi i prillit po afron. Pikërisht periudha për të biseduar për zgjatjen apo jo të kontratës së trajnerit. Nga ajo çfarë konstatohet, drejtuesit e klubit nuk e kanë ndër mend ta zgjedhin sërish Rudi Vatën për trajner edhe sezonin e ardhshëm. Fakti që po firmosen kontratat me lojtarët dhe ai nuk pyetet, e tregon më së miri këtë gjë. Nga ana tjetër, edhe vetë trajneri e ka të qartë se në këtë ambjent nuk mund të qëndrojë më. Ai megjithatë do t’i shkojë deri në fund kontratës. Për të treguar se nuk është mësuar të tërhiqet asnjëherë nga ato që ka marrë përsipër.

www.shkodrasport.com