Korabi ka dalë pa pikë nga fusha e tij, ku dje ka pritur Sukthin e vendit të dytë. Ndeshja është luajtur nën reshje dëbore të cilët nga fundi i ndeshjes janë shtuar shumë. Miqtë kanë treguar se jo më kot qëndrojnë në këtë pozicion dhe pretendojnë ngjitjen në kategorinë e parë. Ata kanë përfituar edhe nga nervozismi i vendasave në këtë ndeshje për rrjedhojë, e kanë nisur shumë mirë lojën dhe pas 6 minutash kanë kaluar në epërsi me anë të Ibrahimllarit. Dibranët janë goditur psikologjikisht dhe nuk kanë mundur të rrezikojnë seriozisht në portën e Sukthit gjatë pjesës së parë.Në fundin e kësaj pjese Goxhaj ka shënuar edhe golin e dytë për Sukthin, duke i dhënë siguri ekipit të tij. Korabi nuk ka reaguar siç duhet edhe në pjesën e dytë dhe nuk ka mundur të futet të lojë, pavarësisht ndërrimeve të bëra nga trajneri Kallaverja. Goli i tretë për Sukthin është shënuar nga Ibrahimllari 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.Në fundin e ndeshjes dhe në kohën shtesë Korabi ka shënuar dy gola me anë të Laçit, që kanë vlerë vetëm për statistikë, sepse nuk kanë ndryshuar asgjë në rezultat. Sukthi fiton edhe në këtë transfertë të vështirë, duke “blinduar” vendin e dytë për momentin.

Fatmir ZHUZHI

 

FK Korabi 2-3 FK Sukthi

Shënues: Laçi 88’, 92’ / Ibrahimllari 6’, 85’, Goxhaj 44’

FK Korabi: Bukri, B.Doçi, Ndreka, Laçi, Sinani, I.Doçi (Ibro 70’), Kacnija, Sejfullai (Ndreka 72’), Merdini, Adili, Bushi (Toska 60’).Trajner: S.Kallaverja.

FK Sukthi: Doda, Goxhaj, Gorja, Qato, Curri, Gashi, Hatia, Ibrahimllari, Loci (Bareti 85’), Balla (Kasaj 75’), Vora (Bllaca 62’).

Trajner: Xh.Kapllani.

Gjyqtarë: K.Prenga, E.Çuni, V.Nikolli (Laç)

Kartonë të verdhë: Adili, Balla